Video/ E gjithë zona e përmbytur, çifti i sapomartuar largohen nga dasma me tenxhere

Imazhet e një çifti të ulur në një tenxhere të madhe gatimi duke notuar nëpër rrugët e përmbytura në dasmën e tyre në Indinë jugore i kanë dhënë një moment ngushëllimi rajonit të shkatërruar nga shirat e dendur.

Akash dhe Aishwarya ishin të vendosur të mos humbnin ditën e tyre të dasmës në fshatin e tyre Thalavady në shtetin Kerala.

Fotografitë e çiftit, të dy punonjës të kujdesit shëndetësor, në varkën e tyre të improvizuar më vonë u shpërndanë gjerësisht në mediet sociale.

Reshjet e dendura të shiut në Kerala kanë shkaktuar përmbytje serioze dhe rrëshqitje të tokës.

Lumenjtë kanë vërshuar nëpër rrugë ndërsa energjia elektrike është ndërprerë në disa fshatra.

Vendi i dasmës së Akash dhe Aishwarya, një tempull i vogël në Thalavady, gjithashtu u përmbyt pjesërisht.

Çifti huazoi tenxheren prej alumini nga një tempull tjetër dhe kërkuan që t'i ndihmonin burrat e fshatit duke i tërhequr nëpër rrugë.

"Është kthyer në një dasmë të cilën ne kurrë nuk e kishim imagjinuar," tha nusja, Aishwarya, për kanalin lokal të lajmeve Asianet.

Video/ E gjithë zona e përmbytur, çifti i sapomartuar largohen

Të sapomartuarit thanë se kishin planifikuar fillimisht një ngjarje të vogël me një numër të kufizuar të anëtarëve të familjes, por interesimi pasi imazhet u postuan në internet i bëri ata të ndiheshin sikur të kishin ndarë ditën e tyre të veçantë me shumë të tjerë.

Akash tha se dyshja kishin prenotuar datën e tyre të dasmës pak kohë më parë dhe nuk donin ta shtynin atë pasi nuk e dinin kur do të ishin në gjendje të bënin sërish ceremoninë. Ai shtoi se tenxhereja e gatimit ishte "opsioni i vetëm" i disponueshëm./OraNews/