Polonia rrezikon përjashtimin nga BE-ja
Përballja mes Bashkimit Europian dhe Polonisë, një vend anëtar i unionit, po bëhet edhe më e ashpër. Vetë kryetarja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen paralajmëroi masa mbi vendimin e fundit të shtetit polak për të sfiduar, sipas BE-së, parësinë e korpusit ligjor të Bashkimit Europian.
Shefja e komisionit tha se vendimi i Tribunalit Kushtetues të Polonisë në fillim të këtij muaji që argumentoi se një pjesë e traktateve të BE -së janë të papajtueshme me kushtetutën polake, "vë në dyshim themelet e Bashkimit Evropian", dhe një gjë të këtillë, sipas saj, BE-ja nuk do ta lejojë, që të vihen në rrezik vlerat e përbashkëta europiane.
Në debat me kryeministrin polak Mateusz Moraëiecki në parlamentin evropian në Strasburg, ajo tha se komisioni do të përdorë mjetet që ka në dispozicion të tij si përgjigje ndaj lëvizjes së gjykatës. Pezullimi i fondeve që shkojnë mbi 30 miliardë euro për Poloninë është një mjet presioni që BE-ja mund të përdorë për këtë veprim të qeverisë polake.
Ndërkohë, kreu i ekzekutivit polak akuzoi BE-në për shantazh. Ai tha se polakët dhe Polonia duan që të jenë pjesë e familjes europiane, por se nuk do të lejojë që të shantazhohet vendi i tij.
"Dënimet nga vendet më të forta dhe më të pasura ndaj vendeve të varfra që ende luftojnë me trashëgiminë e komunizmit - nuk është gjë e mirë për të ardhmen," shtoi ai.
Ai argumentoi se Gjykata Kushtetuese u mbrojt kundër ndonjë tejkalimi nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë duke thënë se "kompetencat e BE -së kanë kufij të qartë dhe nuk duhet të heshtim kur ato shkelen".
Vendimi i fundit i gjykatës kushtetuese polake ka përshkallëzuar në mënyrë të konsiderueshme një betejë të gjatë ligjore midis qeverisë së Varshavës dhe institucioneve të BE-së mbi rregullimin e brendshëm të gjyqësorit.
Qeveria e drejtuar nga partia Ligj dhe Drejtësi tha se nevojiten reforma për të pastruar gjykatat nga një trashëgimi komuniste, ndërsa komisioni thotë se ky mekanizëm po përdoret për të vënë gjykatat nën kontroll politik.
Këtë të enjte eurodeputetët do të votojnë një rezolutë mbi "krizën e sundimit të ligjit në Poloni.


