Vuçiç serbëve të Kosovës: Jemi me ju, duhet të mbrojmë jetën dhe mbijetesën e fëmijëve

Serbia i druhet një konflikti në veri të Kosovës dhe fajëson për këtë politikën kosovare dhe keqdashësinë e bashkësisë ndërkombëtare.

Disa policë dhe qytetarë serbë të Kosovës mbetën të plagosur të mërkurën në vazhdën e tensioneve që shkaktoi një aksion policor kundër kontrabandës në Mitrovicën e Veriut.

Presidenti Aleksandër Vuçiç vizitoi qytetin serb të Rashkës ku u bëri thirrje përfaqësuesve politikë nga Kosova që të jenë të sigurt se nëse do të ndeshen më me dhunën, do të kenë mbështetjen e Serbisë.

"Në këtë betejë, na duhet të mbrojmë jetën dhe mbijetesën e fëmijëve në Kosovë, jo vetëm do i mbrojmë por sot jua them me siguri, për herë të parë, se në këtë betejë kemi për të triumfuar."

Bashkimi Europian dhe Amerika u kanë bërë thirrje palëve të ulin tensionet.

Kryediplomati i BE-së, Joseph Borell, e qortoi një ditë më parë aksionin e Policisë duke u shprehur se ai duhej të ishte koordinuar me Bashkimin Europian.

"BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin," reagoi raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian.

"Nëse do të kishte marrë mundimin të njihej me realitetin në veri të Kosovës do e kishte ditur se veriu drejtohet nga banda kriminale dhe nuk është kurrë herët për të dalë kundër tyre," shtoi ambasadori i Holandës në Kosovë.

Edhe NATO-ja e komentoi operacionin e Policisë së Kosovës si "veprim për vendosjen e ligjit" dhe tha se misioni i KFOR-it është në komunikim me autoritetet përkatëse.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se të tilla aksione janë të përditshme në vend.

Aksioni policor i 13 tetorit u zhvillua në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Autoritetet arrestuan tetë persona dhe sekuestruan mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina”.

Doganat e Kosovës pohojnë se pijet, produktet ushqimore, aksesorët e ndryshëm dhe herë pas here, duhani, janë disa prej mallrave që hyjnë ilegalisht nga Serbia në Kosovë me rrugë të ndryshme malore.