Kush e dekonspiroi operacionin në Veri? Policia e Kosovës u sulmuan në barnatoren e shqiptarit
Operacioni i Policisë dhe Doganës së Kosovës - që nisi në orët e hershme të mëngjesit dhe përfundoi në mesditë - u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët protestuan dhe ngritën barrikada.
Gjatë protestave, dhjetë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, dhjetë banorë të Mitrovicës së Veriut kërkuan ndihmë mjekësore, ndërkaq tetë persona janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se ka dyshime për rrjedhje të informacionit për operacionin dhe po hetohet lidhur me të.
Mehmeti ndau me mediat dhe një informacion të orëve të fundit.
"Lokalin që e keni parë të gjithë, barnatoren ku u sulmuan policët është një lokal i një shqiptari që jeton dhe punon në Mitrovicën e Veriut. Është i njohur për veprimtari kriminale dhe është në kërkim. Pjesëtari i lënduar në protestat e sotme është një qytetar që ka precedent penal. Në 2011 është akuzuar për vjedhje të rëndë."
Ai tregoi edhe disa fotografi nga operacioni i sotëm.
"Po u tregoj me çfarë u përball policia sot. Është foto e autoblindit dhe kjo një predhë e hedhur nga armët e gjata, shenja nga granata e dorës, kjo është gjuajtje nga armët e gjata, plumb i kalibrit të madh".
Ai nënvizoi se operacioni ka filluar nga zyrtarët policorë, zyrtarët hetues, pjesëtarë të doganës dhe njësitë e reagimit të shpejtë.
Ndërhyrja e njësive speciale ka ardhur për shkak të sulmeve ndaj policisë.
"Jemi detyruar të përdorim njësitë speciale dhe mjete të tjera në dispozicion, qoftë gazi lotësjellës apo mjete të tjera për sigurinë e zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë në operacion."
Mehmeti tha më tej se operacioni policor ka përfunduar dhe situata në pjesën veriore të Mitrovicës dhe Zveçanit është e qetë.
"Veprime të mëtejshme policore janë duke u realizuar në bashkëpunim me doganën e Kosovës dhe organet e drejtësisë. Policia e Kosovës do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi me qëllim parandalimin e veprimtarive kriminale, kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimin e grupeve kriminale."
