Rrëzohet kërkesa e Llallës, Gjykata nuk pranon shtyrjen e dënimit me dy vjet burg
Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla për pezullimin e dënimit me burg ose konvertimin në një dënim me të lehtë. Ish-zyrtari i lartë pretendoi në gjykatë se vuajtja e dënimit në këtë kohë është e rrezikshme për shëndetin pasi ndodhet në spital, por ky argument nuk e bindi gjykatën.
Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për pezullimin e dënimit me 2 vite burg.
Me anë të avokatit të tij, ish-kreu i akuzës shqiptare, i cili ndodhet në arrati, dorëzoi në GJKKO kërkesën për pezullimin e dënimit me pretendimin se dërgimi i tij në qeli mund të sillte pasoja të rënda për shëndetin.
Por kjo kërkesë e Llallës u rrëzua nga Gjykata e Posaçme, ndërkohë që ky vendim pritet të ankimohet nga ana tjetër nga avokati mbrojtës i Llalës, i cili do të bëjë rekurs në gjykatën e lartë.
Më herët gjykata vendosi dënimin me 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, me akuzat e fshehjes së pasurisë,dhe deklarim të rreme dhe mosdeklarim në tri raste.
Ish-kryeprokurori është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe i janë konfiskuar disa pasuri.
Ndërkohë vetëm pak ditë më parë Llalla u shpall nga SPAK zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar, pasi Policia e Tiranës nuk e gjeti atë brenda territorit shqiptar.
Vendimi i formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit u shpall më 22 shtator ndërkohë që po atë ditë policia shkoi në shtëpinë Adriatik Llallës për ta arrestuar, por ai nuk u gjet në shtëpi.
Ish-kryeprokurori është larguar nga Shqipëria më 7 shtator nga Rinasi drejt Romës por më pas nuk dihet vendndodhja e tij.

