Plagosje nga “arresti i shtëpisë”, 2 të arrestuar dhe 1 në kërkim për ngjarjen te ish-Parku
Dy persona me precedent penalë akuzohen për plagosjen me armë të dy të rinjve në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë. Një ditë pas ngjarjes, policia ka arrestuar Farjon Palushin, i cili ishte në arrest shtëpie për shpërndarje droge dhe Daniel Manushin i akuzuar më parë për tentativë vrasje. Dyshohet se konflikti i tyre me dy të rinjtë e plagosur ka ndodhur pikërisht për çështjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Dy persona me precedent penalë u arrestuan, një u shpall në kërkim dhe një tjetër po procedohet në gjendje të lirë për ngjarjen e ndodhur të mërkurën në zonën e ish-Parkut të Autobusave në Tiranë ku mbetën të plagosur dy të rinjtë Aleksandër Nikolla dhe Xhulio Vela.
Policia e kryeqytetit njoftoi se ka arrestuar shtetasit Farjon Palushi dhe Daniel Manushi, ka proceduar për moskallëzim krimi të plagosurin Aleksandër Nikolla dhe ka shpallur në kërkim Islam Xhetanin.
Të tre personat e akuzuar për ngjarjen janë me precedent penalë pasi 27-vjeçari Farjon Palushi aktualisht ishte me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa Daniel Manushi, edhe ai 27 vjeç, ishte dënuar për “vrasje me dashje” të mbetur në tentativë.
Edhe i shpalluri në kërkim Islam Xhetani, 28 vjeç, sipas policisë rezulton i dënuar për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.
Tre të dyshuarit njihen si persona që veprojnë në zonën ku ndodhi ngjarja gjatë viteve të fundit ndërkohë që policia thotë se plagosja e shtetasve Aleksandër Nikolla 28 vjeç dhe Xhulio Vela, 26 vjeç, në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda” me rrugën “Frosina Plaku”, ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Dy të rinjtë e plagosur janë jashtë rrezikut nën kujdesin e mjekëve, ndërsa policia thotë se në vendin e ngjarjes ka sekuestruar edhe një armë zjarri pistoletë të përdorur nga autorët e krimit.
Një nga pistat e hetimit të policisë është edhe konflikti për shpërndarjen e lëndëve narkotike për shkak të precedentëve penalë të autorëve të ngjarjes në të kalurën.
Në qershor të këtij viti Farjon Palushi u arrestua gjatë operacionit policor të koduar "Parku", për akuzën e shitjes së drogës pikërisht në zonën ku ndodhi plagosja e dy të rinjve.
27-vjecari u akuzua se ishte pjesë e një grupi prej 12 personash por pak ditë pas ndalimit u la në masën arrest shtëpie nga gjykata e Tiranës.



