Reja: Nuk “qaj” për mungesat, paraqitja ishte shumë e mirë
Trajneri Edy Reja foli pas humbjes me Poloninë ku sigurisht që dukej i zhgënjyer për ndeshjen pasi e pranoi se ishte shumë vendimtare.
Ishte një ndeshje ku skuadra luftoi por episodi i golit na ndëshkoi…
“Ne po dorëzoheshim fizikisht sepse ata ishin më konstant, do bëja zëvendësimet dhe u vonuam sepse doja të ndryshoja edhe Baren sepse nuk ishte mirë. Mëkat goli i tyre sepse bëmë ndeshje të mirë, po luanim si të barabartë me ta edhe pse janë të fortë fizikisht. U penalizuam shumë në këtë ndeshje nga disa episode. Ndoshta nuk e meritonim një humbje të tillë, kishim mungesa që nuk them se janë titullarë sepse janë të gjithë njësoj por janë shumë të rëndësishëm”.
Me lojtarët që mungonin do të ishte një tjetër ndeshje? A të mbetet peng?
“Nuk qahem dhe nuk gjej justifikime. Këtu janë 25 lojtarë, luan njëri ose tjetri dhe zgjedhjet janë bërë. Kjo ishte ndeashja më e rëndësishme, ajo që do të vendoste shumë. Më vjen keq që nuk kishim shumë alternativa por duhet të them që bëmë ndeshje të madhe dhe falenderoj tifozët për atmosfertën. Mund të bënim diçka të madhe”.
Gola të ngjashëm të pësuar me Poloninë, ndjen keqardhje?
“Gabimi ishte dhe më vjen keq. Nuk mund të bëhet një gabim i tillë. Ishim të mbuluar perfekt dhe nuk kishte arsye të ndodhte, janë gabime individuale dhe unë nuk fajësoj askënd por duhej shmangur.”
A duhej hedhur më shpejt Bajrami në fushë?
“Mos nxirrni gjëra të tilla, luajtëm me 3 sulmues dhe futa Brojën. Luajtëm me dy anësorë nga sulmi por kishim lojtarë shumë të rëndësishëm përballë. Ne luajtëm 70-75 minuta dhe më pas nisëm të binim fizikisht, nuk kisha alternative të tjera. Duhet më mirë të shikojmë gabimet që kemi bërë në Varshavë dhe këtu e të ecim përpara”.

