Kosova vendos masa mbrojtëse ndaj disa produkteve serbe
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, tha sot se ka marrë vendim për masa mbrojtëse anti-damping ndaj dy llojeve të produkteve të prodhuara në shtetin e Serbisë.
Masa mbrojtëse e përkohshme antidamping prej 3 centë, është vendosur për kompanitë: FSH “Jabuka” doo Pancevo, “Gebi” doo, FSH “Sto Posto” dhe FSH “Beçejka”.
“Sot më 8 tetor, kemi marrë dy vendime për masa mbrojtëse antidamping ndaj produkteve të caktuara të importuara nga Serbia. Njëri vendim cakton masën antidamping prej 3 centë për kilogramë në importin e koncentratit të kafshëve dhe shpezëve nga Serbia. Vendimi tjetër cakton masë antidamping prej 3 centë për njësitë e bllokut ndërtimor me origjinë nga Serbia”.
Këto vendime janë marrë pas hetimeve të bëra në treg, të cilat kanë vërtetuar se këto mallra në tregun e Kosovës shiten me çmim më të ulët sesa në tregun e Serbisë, shkruajnë mediet kosovare.
“Të dyja vendimet janë marrë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Masat Anti-damping, si dhe detyrimet tona ndërkombëtare”, tha Hajdari.
Damping nënkupton importin e mallrave në Kosovë me një çmim më të ulët të eksportit, sesa çmimi i krahasueshëm për produktin e ngjashëm në tregun e vendit eksportues.
Për këto dy vendime ka folur edhe Drejtori i Departamentit të Tregtisë, Zef Dedaj.
Sipas tij, këto vendime do të kenë efekt në uljen e importit nga Serbia.
"Fakti që sot e kemi një mase në 3 centë dhe jo 2 centë bazohet në statistika. Mund të ketë hapësirë edhe për 4, meqë ka hapësirë për ndryshim kemi shkuar në 3. Kjo do të ketë efekt për uljen e importit nga Serbia. Nuk do ta afektojë konsumatorin. Pas 6 muajve nëse ka nevojë për 4 centë do të bëhet. Kjo e cila vazhdohet si e përkohshme për 6 muaj, vazhdohet pastaj për 6 muaj,” është shprejur Zef Dedaj.


