Kurti dhe Vuçiç takohen për herë të parë pas tensioneve për targat, ja çfarë diskutuan
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë zhvilluar takimin e parë në samitin e Brodos, pas tensioneve mes dy palëve për reciprocitetin e targave.
Pjesë në takim kanë qenë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, si edhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Ndërkohë Kurti në një postim që ka bërë në rrjetet shkruan se në takim është diskutuar mbi procesin e Berlinit, teksa ka theksuar se qeveria e tij do të mbështesë çdo marrëveshje, nëse vendet e Ballkanit të trajtohen të barabarta.
"Në një bisedë me kancelaren Merkel, Presidentin Emmanuel Macron dhe Presidentin e Serbisë, ne folëm për Procesin e Berlinit, lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave. Ne mbështesim marrëveshjet në të cilat të gjitha vendet e BB6 trajtohen si të barabarta dhe qytetarët janë përfituesit përfundimtarë", shkruan Kurti.
Po ashtu edhe Vuçiç, në një postim në rrjetet sociale, shkruan se do ta vazhdojnë dialogun me Kosovën, por tema e parë e diskutimit duhet të jetë Asociacioni i Komunave Serbe (ZSO).
“Biseduam për diplomat, njohjen e profesioneve. Kjo përfundimisht do të kontribuonte në lirinë më të mirë të lëvizjes. Shpresoj se ne do të jemi në gjendje t’i zgjidhim këto çështje, kurse në thelb te jene çështjet e rëndësishme për të ardhmen. Sigurisht, ne do të vazhdojmë dialogun, por tema e parë duhet të jetë Asociacioni i Komunave Serbe, ashtu siç ishte shkruar në deklaratën e BE-së”, tha Vuçiç./ Ora News/
