Kurti takon Borrell: Reciprociteti do të jetë parimi mbi të cilin bazohen veprimet e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar edhe shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor sot në Brdo të Sllovenisë.
Në takim Borrell tha se mirëpret arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi për targat e automjeteve.
Ai shtoi se një gjë e tillë duhej të shërbente si moment i ri për të përshpejtuar arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare si rezultat e dialogut.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në anën tjetër u shpreh se reciprociteti do të jetë parimi mbi të cilin do të bazohen veprimet e shtetit të Kosovës.
Ai e njoftoi Borrell për pengesat jo-tarifore që Serbia u bën prodhuesve kosovarë, siç ishte rasti më i fundit me kamionin që u bllokua, ndonëse po kalonte vetëm transit nëpër territorin e Serbisë.

