Kurti do të takohet me presidentin serb në Slloveni, në praninë e Merkelit dhe Macronit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të takohet në Slloveni me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, në pauzën mes dy sesioneve të Samitit që po mbahet në Brdo të Sllovenisë.

Në këtë takim do të marrin pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emanuel Makron, shkrujnë mediet e huaja.

“Serbia nuk e njeh Kosovën, Kosova nuk e njeh Serbinë, dhe ne kemi nevojë për një marrëveshje”, citohet të ketë thënë kryeministri Kurti.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se njohja reciproke është e nevojshme sepse është e vetmja mënyrë për vendosjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan.

Pak para nisjes së Samitit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Slloveni, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha për gazetarët se shpreson që ky samit do ta bëjë Bashkimin Evropian të qëndrojë në thelbin e saj e që është zgjerimi i saj.

Kurti ka thënë se janë 5 vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, dhe shpreson që së shpejti ato do ta bëjnë një gjë të tillë.

“Shpresoj që së shpejti ato 5 vende do ti bashkohen vendeve që na kanë njohur. Unë avokoj për mungesën e frikës nga BE-ja dhe hidhërimin nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.