Gjobitet konspiracionisti amerikan, deklaronte se masakra në shkollë ishte mashtrim
Alex Jones, një personazh i njohur pranë së djathtës ekstreme në Amerikë, është gjobitur nga gjykata e Teksasit. Sipas tyre, ai nuk dërgoi fakte për të mbështetur teorinë e tij se masakra e ndodhur në shkollën “Sandy Hook”, ku u vranë 26 persona, midis të cilëve 20 vogëlushë 6 dhe 7 vjeçarë, është mashtrim i madh. Jones do të dëmshpërblejë prindërit për dhimbjen që u ka shkaktuar.
Alex Jones, një personazh i njohur në Amerikë për emisionin e tij në radio, është gjobitur nga një gjykatë amerikane për përhapjen e teorive të pabaza të komplotit.
Në emisionet e tij ai pretendonte se vrasjet e fëmijëve në një shkollë amerikane nuk kishin ndodhur kurrë, por se ishte mashtrim i madh. Kjo deklaratë ka irrituar prindërit që humbën fëmijët nga kjo masakër, të cilët e hodhën në gjyq.
Në vendimin e së enjtes, një gjykatës i Teksasit tha se Jones kishte dështuar në mënyrë të përsëritur në dorëzimin e dokumenteve dhe provave ligjore në gjykatë për të mbështetur pretendimet e tij në lidhje me sulmin me armë të ndodhur në shkollën “Sandy Hook”.
Vendimi i marrë nga gjykta e detyron drejtuesin e emisionit “Infoëars” që të paguajnë dëmshpërblim për prindërit e Noah Pozner dhe Jesse Lewis, dy djem gjashtë vjeçarë që humbën jetën në këtë masakër. Shuma që do të paguhet ndaj prindërve do të përcaktohet në një gjykim tjetër.
Ndërkohë, Jones dhe një avokat i “Infowars” e cilësuan vendimin "mahnitës".
"Ne jemi të shqetësuar nga ajo që ne e konsiderojmë si një abuzim i hapur i gjykimit nga gjykata," thanë ata në një deklaratë. Avokatët e Jones argumentojnë se komentet e tij ishin në kuadër të së drejtës së fjalës të lirë.
Më herët, Jones ka humbur disa padi për shpifje të ngritura kundër tij, ndërsa është ndaluar nga Facebooku, Twitteri dhe YouTube për përhapje të gjuhës urrejtjes dhe sjelljes abuzive.
Të shtënat në Shkollën Fillore Sandy Hook ndodhën në 14 Dhjetor 2012, në Newtown, Connecticut, Amerikë.
20-vjeçari Adam Lanza vrau 26 persona, 20 nga të cilët fëmijë, gjashtë dhe shtatë vjeçarë.
Kjo ngjarje e rëndë konsiderohet nga më tragjiket në ShBa dhe hapi një debat të madh për kontrollin e armëve në Amerikë.

