Shkrirja e gjykatës, thikë në palcën e varfër të qytetarëve të varfër të Tropojës

Tropojanët janë duke ndjerë ditët e fundit të institucionit të vetëm të drejtësisë që kanë. Fjala është për Gjykatën e Shkallës së Parë që sipas projekteve që ndëshkojnë qytetarët e skajit verior, do të shkrihet.

Pra, Tropoja nuk do të ketë më asnjë copë drejtësi dhe për çështjen më të vogël një banori të Tropojës do ti duhet të shkojë shumë larg nga qendra e vet e banimit. Fjala vjen, për një çështje civile (njohje vjetersie pune, konflikt pronësie etj), do ti duhet të udhëtojë drejt Kukësit qindra kilometra ku duhet të kalojë 4 postoblloqe doganore dhe normalisht të shpenzojë shumë më shumë se sa vlera që mbase i duhet të vendosë drejtësi.

Kush mendon për këto kosto?

A e dinë ata që kanë vënë vizën mbi drejtësinë e Tropojës, se banorët e kësaj zone janë më të varfrit në Shqipëri?

Po ta dinin ose po ta mendonin këtë nuk do tu shtonin një hall kaq të madh tropojanëve.

Tashmë me ikjen e gjykatës, në Bajram Curri nuk ka asnjë institucion qendror që u shërben qytetarëve, përveç bashkisë që nuk është se kryen ndonjë shërbim të madh. Fundja i ka mbetur vetëm të japë çertifikata.

Prej kohësh shërbimet më të rëndësishme janë transferuar në qendrën e qarkut,  në Kukës, ndërsa në Tropojë nuk mbetët më asnjë gjurmë e shtetit.

Madje edhe prefektin që si për ironi, e kanë vendosur në Kukës.

Kontrolli teknik i mjeteve ka vite në Kukës dhe qytetarët e Tropojës duhet të shkojmë me mjetet e tyre deri atje për kontroll. Pothuajse njësoj sikur të vish me mjet nga Lushnja në Tiranë për të marrë këtë shërbim.

Edhe spitali, dikur një qendër e madhe shëndetësore me mjekët më të mirë në Shqipëri, sot është thjeshtë një qendër që nuk jep dot shërbime të mirëfillta shëndetësore, pasi gjithçka për shëndetin duhet që tropojanët ta kërkojnë në Kukës normalisht dhe më së shumti në Kosovë praktikisht pasi deri në Kukës ka rrezik që një rast urgjent mos të arrijë gjallë pacienti.

Shkrirja e gjykatës është tashmë një tjetër thikë në palcën e varfër të qytetarëve të varfër të Tropojës të cilët do të duhet të marrin rrugët me shpenzime e kohë të humbur për të kërkuar drejtësi shumë larg, duke e bërë edhe drejtësinë një mollë të ndaluar për Tropojën dhe tropojanët.

Duhet që qytetarët, përfaqësuesit e Tropojës në pushtetin lokal, në Kuvend apo edhe intelektualët e kësaj zone të ngrenë zërin e të ndalojnë këtë projekt që dëmton rëndë Tropojën. Por deri tani gjithë këta heshtin. Prefekti, kryetari i Bashkisë, deputeti e zyrtarët e tjerë të kësaj treve janë në gjumë të thellë deri një javë para zgjedhjeve të ardhshme!!

Boll më. Tropojanët nuk e meritojnë këtë. Ata kanë të drejtën e shërbimit edhe me drejtësi si gjithë shqiptarët.