Protesta për të drejtën e abortit në Teksas, kundërshtohet ligji që ndalon ndërprerjen e shtatzënisë pas 6 javësh
Ligji i Teksasit që ndalon ndërprerjen e shtatzënisë pas 6 javëve ka ngritur në protesta dhjetëra mijëra gra amerikane.
Mbi 600 demonstrata u mbajtën në qytetet e SHBA-së, deri në shkallët e Gjykatës së Lartë në Uashington.
Me parullat "Aborti është zgjedhje personale, jo debat ligjor" dhe "Trupi im, zgjedhja ime", gratë kërkuan të respektohet vendimi i Gjykatës i vitit 1973 që u njeh atyre të drejtën e abortit.
"Jam 20 vjeçe. Nëse nuk jam gati të bëj një fëmijë dhe as nuk kam financat për ta rritur, nuk e ndihmoj dot fëmijën, ndaj pse duhet ta sjell në këtë botë?"
"Jemi njerëz dhe duam të trajtohemi si të tilla. Duhet të na takojë ne zgjedhja për trupin tonë. Nuk mund të më thotë dikush tjetër çfarë mundet e s'mundet të bëj."
Ligji i quajtur "Rrahja e zemrës" hyri në fuqi muajin e kaluar dhe ndalon spitalet apo klinikat e ndryshme në shtetin e Teksasit që të kryejnë abortin e fetuseve që kanë mbi 6 javë jetë.
Në këtë kohë fillon të rrahë zemra e embrionit në barkun e nënës, por shumë nga to nuk e dinë ende që janë shtatzëna dhe mbi 85 për qind e aborteve kryhen pas kësaj periudhe.
Shteti i Teksasit e ndalon tani praktikën edhe kur fetusi ka ardhur në jetë si pasojë e përdhunimit ose incestit.
Gjykata e Lartë e Amerikës pritet të vendosë për mbajtjen ose shfuqizimin e vendimit të vitit 1973, dhe nëse ai anulohet atëherë çdo shtet amerikan mund të vendosë vetë për lejimin, kufizimin ose ndalimin e aborteve.
Demokratët e kanë kundërshtuar ligjin kundër abortit, ndërsa republikanët mbeten më konservatorët si shumica e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
