Kosova refuzon projektin për gazin: Ka paqartësi rreth përfitimeve
Qeveria e Kosovës ka vendosur të tërhiqet nga projekti për ndërtimin e një gazsjellësi, mes gjithë kritikave se po rrezikon bashkëpunimin me Amerikën.
Shtetet e Bashkuara i kanë premtuar Kosovës 200 milionë euro nëpërmjet Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit që të vijojë shtrirjen e infrastrukturës me gaz natyror nga Greqia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.
Por llogaritet që investimi mund të shkojë mbi 600 milionë euro dhe ministrja kosovare e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ka pikëpyetje për kostot dhe përfitimet prej tij.
“Ne kemi nevojë për më shumë informata për të qenë të sigurt se ndërtimi I infrastrukturës së gazsjellësit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC ka afate strikte kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kompaktit. Në këtë situatë përballë afateve kohore që ka MCC, ne kemi vendosur që të ecim tutje dhe ta shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit për investime me risk më të ulët, por që gjithashtu ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të sektorit privat.”
Qeveria dhe agjencitë amerikane kanë ofruar ndihmë financiare dhe teknike për sektorin e energjisë të Kosovës, dhe presidentja Vjosa Osmani është shprehur se projekti i gazsjellësit nuk duhet refuzuar për arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike.
Lidhja Demokratike e Kosovës e cilësoi vendimin e qeverisë “një veprim të pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon. Një humbje financiare dyqindmilionëshe në një vend pa zhvillim.”
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kritikoi kryeministrin Albin Kurti, duke aluduar se mos gjatë një vizite në Greqi, ai kishte "takuar ndonjërin nga përfaqësuesit e Gazpromit rus dhe a ishte kjo arsyeja e refuzimit të gazsjellësit amerikan!?"
Në reagimin e vet, Maqedonia e Veriut theksoi të premten se vendi pret që i gjithë rajoni të përfitojë nga gazsjellësi.
Porto Romano është përmendur si një terminal tjetër nga ku gazi i lëngshëm amerikan do të transportohet më tej në Kosovë, Mal të Zi e Serbi përmes një tubacioni, por edhe me hekurudhë./Ora News/



