Marrëveshja për targat/ Haradinaj: Kurti të sqarojë popullin për çdo detaj dhe urgjentisht të raportojë në Kuvend
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar në lidhje me marrëveshjen që është nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, për targat e automjeteve.
Haradianj nëpërmjet një postimi që ka bërë në rrjetet sociale, kërkon që qeveria e Kosovës të bëjë publike marrëveshjen si dhe të jap sqarime për publikun për çdo detaj të kësaj marrëveshjeje.
Më tej shkruan se nëse është e vërtetë se qeveria ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme dhe e dënueshme.
Postimi i plotë:
Kërkojmë nga qeveria e Kosovës që menjëherë ta publikojë tekstin integral të marrëveshjes për targat.
Nëse është e vërtetë se qeveria ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës, kjo për ne është krejtësisht e papranueshme dhe e dënueshme. Karakteri unitar i shtetit nuk mund të preket.
Poashtu, jemi të indinjuar me barazimin që i është bërë policisë speciale të Kosovës me grupet kriminale që kanë bllokuar rrugët në veri. Njëjtësimi i tërheqjes së grupeve kriminale me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës është ofendim dhe goditje per sovranitetin e Kosovës!
Poshtu, pajtimi që KFOR të marrë nën kontrollë ruajtjen e rendit në veri, kur kjo është kompetencë ekskluzive e organeve shtetërore të rendit e kur misioni i KFOR është ushtarak, është kthim prapa dhe koncesion ndaj Serbisë e me pasoja të rënda për Kosovën.
Kryeministri e ka për detyrë të sqarojë popullin për çdo detaj të kësaj marrëveshjeje dhe urgjentisht të raportojë në Kuvendin e Kosovës.
Askush nuk ka mandat të nënshkruaj kurrëfarë marrëveshjeje që mund të jetë në kundërshtim me sovranitetin e vendit!/ Ora News/
