Vitia zyrtarizon dorëheqjen sot, Dafina Gexha ushtruese e detyrës


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, zyrtarizon dorëheqjen e tij si ministër. Vitia garon në zgjedhjet lokale për të parin e Komunës së Prishtinës, më 17 tetor, me kandidimin nga partia e Vetëvendosjes për të garuar.
Ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë do të jetë Dafina Gexha-Bunjaku.
Kush është Dafina Gexha Bunjaku
Dafina Gexha Bunjaku aktualisht është zëvendësministre e Shëndetësisë. Ka lindur në Gjakovë. E diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ka vazhduar studimet post-diplomike në fushën e menaxhmentit shëndetësor – program i përbashkët i Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Vjenës, Austri.
Është specialiste e epidemiologjisë, dhe ka punuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Departmentin e Epidemiologjisë. Gjithashtu ka qenë pjesë e ekipit të IKShPK për fazën përgatitore dhe menaxhuese për COVID-19, raporton koha.net
Arben Vitia thërret konferencë për mediet, pritet të japë dorëheqjen
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot do të dalë në konferencë për medie, për të lajmëruar dorëheqjen e tij nga kjo pozitë.
Ndryshe, për konferencën e Vitisë ka njoftuar sot edhe Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për medie.
Konferenca do të mbahet në orën 11:00, në ndërtesën e Qeverisë.
Vitia do ta zyrtarizojë dorëheqjen nga posti i ministrit të Shëndetësisë, pasi është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prishtinës
