Edhe Kurti i kënaqur me marrëveshjen në Bruksel: Tani nis epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet
Dhe pse Kosova nuk ja doli të bindë Serbinë në Bruksel për të hequr dy palët targat e përkohshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se me marrëveshjen mes dy vendeve reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur.
"Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në Jarinje dhe Bërnjak më 20 shtator për të mbrojtur vendkalimet dhe policinë kufitare nga bllokuesit e rrugëve dhe qarkullimit të lirë. Meqë ata do të largohen, njësia jonë speciale nuk ka pse qëndron atje, dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen. Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt" shkruan Kurti në facebook.
Kryeministri i Kosovës kujton se javën e shkuar, Presidenti i Serbisë vuri katër kushte për takimin në Bruksel të përfaqësuesve të dy vendeve.
Kushtet nuk ju plotësuan por dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel.
Sipas Kurtit, tani fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet.
