Përfundon votimi në Gjermani, sondazhet e para tregojnë për një garë të ngushtë
Gjermanët i janë drejtuar këtë të dielë kutive të votimit për të zgjedhur pasardhësin e Angela Merkelit. Gara është e fortë dhe exit pollet flasin për një situatë thuajse të barabartë. Do të na duhen ditë për të marrë vesh kush është kancelari i ri, dhe kjo pasi të zyrtarizohet koalicioni qeverisës.
Gara zgjedhore në Gjermani është emocionuese për të dyja partitë e mëdha – Kristiandemokratët dhe Socialdemoraktët, sepse në exitpollet e para dalin në kuota thuajse të barabarta.
Me nga 25 % të votave që mendohet të kenë marrë sipas exit-polleve, ajo që është pyetja kryesore ka të bëjë me koalicionet që do të formohen për të qeverisur vendin.
Edhe pse në tavolinë është sërish koalicioni i madh të majtë të djathtë siç ka qenë deri më tani, por analistët gjermanë flasin edhe për një konfigurim tjetër. Sipas tyre CDU/CSU bashkohet me të gjelbërtit dhe me Partinë e Lirë Demokratike. Në krahun tjetër mund të jenë Socialdemokratët e SPD-së që formojnë koalicionin e tyre me të Gjelbërtit dhe me Partinë e Lirë Demokratike.
Ajo që bie sërish në sy në analizat që bëhen nga mediet gjermane është fakti se e majta gjermane nuk e afron në koalicion të majtën komuniste “Die Linke”, dhe as e djathta konservatore CDU CSU nuk e afron në koalicion të djathtën ekstreme AFD.
Ajo që është edhe kërshëria kryesore e qytetarëve se kush do ta pasojë Angela Merkelin, me sa duket do të marrë ditë, në mos javë për t’u marrë vesh, sepse është koalicioni qeverisës ai që vendos edhe kancelaren pas votimit në Bundestag.
Dy kryesorët në garë për të marrë vendin e kancelarit janë konservatori Armin Laschet ministri i financave Olaf Scholts nga e majta.

