Dozat shtesë, miliarda dollarë fitime për kompanitë e prodhimit të vaksinave kundër Covid

Rritja e efektiviteti të vaksinave me dozën e tretë, apo edhe të katërt për disa shtete kundër koronavirusit, parashikohet të sjellë miliarda dollarë fitime për kompanitë prodhuese. Pfizer parashikohet të fitojë 7 miliardë dollarë, ndërsa Moderna 13. Por ka edhe kompani që nuk duan të përfitojnë nga kjo situatë.

Për disa kompani prodhuese të vaksinave është krijuar mundësia e fitimit të disa miliarda dollarëve më shumë, teksa një pjesë e mire e botës po përgatitet për shpërndarjen e dozave shtesë të vaksinës kundër Covid-19, për të forcuar mbrojtjen ndaj virusit.

Ëall Street po ndjek me vëmendje zhvillimet. Parashikimi mesatar i analistëve për të ardhurat e kompanisë Moderna në vitin 2022 është rritur me 35% që kur Presidenti Joe Biden paraqiti në mes të gushtit planin e tij për dozat përforcuese.

Shumica e vaksinimeve të deritanishme në ameirkë kanë qenë nga kompania Pfizer, e cila krijoi vaksinën e saj me kompaninë gjermane BioNTech, e pasuar nga kompania Moderna.

Ato kanë vaksinuar përkatësisht rreth 99 milionë dhe 68 milionë persona secila. Ndërsa kompania Johnson & Johnson rreth 14 milionë të vaksinuar.

Nuk dihet ende se sa njerëz do të vaksinohen. Por analistja e kompanisë Morningstar, Karen Andersen pret që vetëm dozat përforcuese të sjellin rreth 26 miliardë dollarë në shitje globale vitin e ardhshëm për kompanitë Pfizer dhe BioNTech dhe rreth 14 miliardë dollarë për kompaninë Moderna nëse ato miratohen për pothuajse të gjithë amerikanët.

Analistja Andersen pret që kompania Moderna, e cila nuk ka produkte të tjera në treg, të gjenerojë një fitim gati 13 miliardë dollarë vitin e ardhshëm nga të gjitha shitjet e vaksinave Covid-19, nëse dozat shtesë autorizohen për përdorim të gjerë.

Fitimet e mundshme nga vaksinat janë më të vështira për t'u vlerësuar për kompaninë Pfizer, por drejtuesit e kompanisë kanë thënë se presin që marzhi i tyre i fitimit nga vaksina, para taksave, të jetë në kuotën e lartë të mbi 20% të të ardhurave.

Kjo do të përkthehej në një fitim prej rreth 7 miliardë dollarë vitin e ardhshëm vetëm nga dozat shtesë, bazuar në parashikimin e shitjeve nga zonja Andersen.

Ndërkohë Kompania J&J dhe ajo evropiane AstraZeneca kanë thënë se nuk kanë ndërmend të përfitojnë ekonomikisht nga vaksinat e tyre për Covid-19 gjatë pandemisë.