Gjermania pak orë para zgjedhjeve, nesër do të votojnë 60 mln qytetarë

Gjermania është pak orë larg zgjedhjes së qeverisë së re, të ndarë mes konservatorëve dhe socialistëve.

Të shtunën, partitë përmbyllën tubimet e tyre elektorale.

Kancelarja Angela Merkel u shfaq përsëri krah pasardhësit politik, Armin Lashet, duke e prezantuar si personin më të denjë për t'i besuar të ardhmen e vendit dhe të shoqërisë gjermane.

Për javë me radhë 60-vjeçari renditej mbrapa rivalit socialdemokrat, Olaf Sholc, por një sondazh i fundit tregon se diferenca është ngushtuar.

Të gjelbrit e Analena Berbokut mbeten të tretët për nga pëlqimi popullor.

Kancelarja Merkel e drejton kancelarinë gjermane prej 16 vitesh, dhe blloku i saj CDU-CSU mund të fitojë sërish.

Një triumf i SPD-së mund të rikthejë në pushtet socialdemokratët dhe ambientalistët, po ashtu pas 16 viteve.

Opsion mbetet edhe vazhdimi i modelit aktual të qeverisjes sipas konceptit të koalicionit të gjerë, CDU-CSU dhe SPD.

Gjermania është ekonomi e madhe europiane me ndikim politik në tërë Bashkimit Europian dhe në botë.

Të dielën votohet për 598 anëtarët e Bundestagut apo për dhomën e ulët të parlamentit dhe në zgjedhje janë ftuar të marrin pjesë 60 milionë gjermanë.