Pasaportë dixhitale Covid për Shqipërinë? BE merr vendimin
Bashkimi Europian ka njohur certifikatën shqiptare te vaksinimit anti-Covid. Lajmi konfirmohet nga Ministria jonë e Shëndetësisë e cila sqaron se gjithësesi do të jenë politikat e secilit shtet për të lejuar ose jo hyrjen e qytetarëve shqiptarë në territorin e tyre.
Certifikata anti-Covid që lëshohet në Shqipëri, prej kësaj të mërkure do të njihet edhe nga vendet e BE.
Komisioni Europian ka vendosur të njësojë me sistemin europian edhe certifikatat e Covidit që vendi ynë do të lëshojë.
Veç Shqipërisë, në këtë listë të njësimit të certifikatave janë edhe Andora, Izraeli, Maroku , Panamaja, Monako dhe ishujt Faroe.
Komisioneri i Drejtësisë, Didier Reynders, e konsideron një sukses udhëtimin e lirë përmes certifikatës së vaksinimit anti-Covid.
BE thotë se mirëpret më shumë shtete të bashkohen në këtë sistem në mënyrë që të lehtësohen procedurat e lëvizjes në situatë pandemie.
“Gjatë verës, ne kemi parë që qytetarët janë të aftë për të udhëtuar të sigurt falë certifikatës dixhitale europiane ndaj Covid.Është një situatë fitoreje: qytetarët mund të shijojnë të drejtën e lëvizjes së lirë dhe bizneset si dhe sektori i transportit mund të fillojë të lulëzojë sërish pas humbjeve të muajve të kaluar. Unë mirëpres më shumë shtete jashtë BE që po i bashkohen sistemit tonë të suksesshëm.”
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë në vendin tonë, konfirmon vendimin, ndërsa shton se do të jenë politikat e secilit shtet për të lejuar ose jo hyrjen e qytetarëve shqiptarë në vendet e tyre.
Javët e fundit Shqipëria është përfshirë në listën e kuqe të disa vendeve europiane që kanë vendosur kushte shtesë për të lejuar hyrjet e shqiptarëve.
