“Në rrugë” dy vite pas tërmetit, pallati i rikonstruktuar në Durrës rezulton se ka probleme me kolonat
Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, dëmtimi në këtë pallat në Durrës u klasifikua i shkallës DS3, domethënë pa dëmtime në strukturë.
Për më shumë se 1 vit e gjysmë, banorët dolën jashtë apartamenteve të tyre, ndërsa qeveria i dëmshpërbleu me 500 mijë lekë për familje.
Me ato para riparuan apartamentet e tyre, dhe më në fund banorët u rikthyen në shtëpi.
Por, problemet e vërteta duket që sapo kanë nisur.
Banorëve u është kërkuar nga ndërtuesi i pallatit që të zbrazin shtëpitë e tyre, dhe të dalin jashtë, pasi objekti ka probleme me kolonat.

"Erdhën në shtëpi dhe më thanë të dal jashtë përsëri. Dilni jashtë se do gërmojmë edhe një herë thanë për të forcuar kolonat," shprehet një banor.
"Ne kemi disa ditë që po rrimë me ethe, me siklet. Ne bëmë rregullimin e shtëpive sipas udhëzimeve, sipas parave që na dhanë dhe ne e përfunduam këtë punë," thotë banori.
Banorët e shqetësuar thonë që ky problem duhet të ishte konstatuar që në fillim, në mënyrë që ata të mos kishin rikonstruktuar apartamentet e tyre.
"Plaçkat e para ikën të gjitha në kosh të plehrave, vumë të reja se u prishën nga gëlqerja, tavani," shprehet banori.
"Nuk e kuptojmë këtë punë, nuk patën kohë por ne kemi hyrë të gjithë brenda, tani na thonë dilni jashtë," thotë banori.
Thonë se janë të shqetësuar, banorët thonë se janë rikthyer edhe një herë në situatën që u gjenden në ditën e parë pas tërmetit shkatërrimtar.
"Po ku ishin 2 vjet? S'e kuptoj as unë pse ndodh," thotë banori.
"Pas një viti na thonë ikni se janë kolonat e thyera. Po të ishin kolonat e thyera ne nuk na i punonte punëtori," thotë banorja.


/OraNews/
