Rënia e ashensorit në "Astir", Gjykata vendos "arrest shtëpie" për teknikun, Prokuroria kërkoi burg
Gjykata e Tiranës caktoi masën e "arrestit në shtëpi" për teknikun e ashensorit që pësoi defekt pak ditë më parë duke shkaktuar plagosjen e dy grave.
Ngjarja ndodhi në zonën e "Astirit" në Tiranë ndërsa Prokuroria kishte kërkuar masën "arrest me burg" me afat një mujor për shtetasin Dëfrim Shabanaj i cili u vendos në pranga menjëherë pas incidentit.
Organi i akuzës ka bërë të ditur në seancë se është në pritje të ekspertizës për të zbardhur shkakun e defektit në ashensor.
Ngjarja ndodhi 3 ditë më parë, në datën 12 shtator rreth orës 00:05, në Astir. Si pasojë e shkëputjes së ashensorit u plagosën 2 gra.
Administratori i pallatit Avni Martinaj, fajësoi banorët si shkaktarë të ngjarjes.
"Ashensorët janë për transport njerëzish, jo për transport materialesh. Banorët fusin materiale ndërtimi, çimento, dhe hipin edhe mbi pesha. Ashensori ka një kapacitet 380 kg dhe vlerësohet që të mbajnë 3-4 persona. E vërteta është se nuk e dimë sa persona kanë qenë brenda. Ashensori ka rrëshqitur nga mbipesha, nuk ka rënë, por duhet të presim ekspertizën se ajo e përcakton. Kontrolli bëhet çdo datë 20 të muajit," u shpreh ai 1 ditë pas ngjarjes, më 13 shtator.
