FRPD kërkon referendum, Hoxha: Berisha është institucion brenda partisë, Basha të ishte dorëhequr që në 2017

Sekretari i burimeve njerëzore të FRPD-së, Indrit Hoxha i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Anila Zyberaj u shpreh se qëllimi i këtij referendumi është fakti që Basha ka marrë një vendim individual.

Sipas Hoxhës, brenda partisë ka struktura të cilat vendosin nëse duhet përjashtuar apo jo zoti Berisha nga grupi parlamentar.

Hoxha: "Me vendimin personal të kryetarit të PD-së, zoti Basha i cili ka përjashtuar nga grupi parlamentar zotin Berisha, qoftë ky një veprim i drejtë apo i gabuar në një parti politike nuk mund të ketë vendime individuale. Për këtë arsye janë strukturat, është kryesia, këshilli kombëtare dhe kuvendi i PD-së."

Çfarë kërkojnë me kërkesën e tyre FRPD

Zoti Hoxha në studion e Ora News analizoi se vendimi i Bashës për përjashtimin e ish-liderit historik është vendim për përjashtimin e historisë. Sipas tij, vendimi i jetës i Lulzim Bashës nuk ka qenë rrëzimi i qeverisë së korruptuar të Ramës, por përjashtimi i zotit Berisha.

Hoxha: "Ne kërkojmë që ky vendim të hidhet në një referendum brenda partisë duke marrë parasysh dhe peshën që ka Berisha në parti. Vendimi i zotit  Basha thjesht po thellon përçarjen brenda partisë. Ne kërkojmë që ta vendosë anëtarësia e PD nëse duhet përjashtuar zoti Berisha nga partia dhe nga grupi parlamentar apo jo. PD-së sot i ka humbur busulla dhe identiteti i saj, sot në PD merren vendime arbitrare. Këto janë vendime që kanë treguar se janë në dëm dhe në kurriz të demokratëve. Për herë të parë një parti qëndron për 12 vite në opozitë. Basha ka humbur 6 palë zgjedhje, nuk e njeh fare pjesën e dorëheqjes. Për mua duhet ta kishte bërë që në 2017 këtë lloj akti. Zoti Berisha është institucion brenda PD-së, përjashtimi i tij nga PD-ja do të thotë përjashtimi i historisë së partisë. Mesa duket vendimin e jetës Basha nuk e ka pasur të rrëzojë qeverinë e korruptuar të Ramës, por të përjashtojë zotin Berisha."

Përgatiti për online Xhuljana Zhuleku