Reuters: SHBA i bën presion udhëheqësve botërorë që të vaksinojnë 70% të popullsisë deri në vitin 2022
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i bëjnë presion liderëve botërorë që të vaksinojnë 70% të popullsisë deri në vitin 2022, sipas një dokumenti të SHBA-ve, të publikuar një ditë më parë nga Reuters .
Dokumenti tre-faqësh i është drejtuar shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe sektorit privat të ftuar në një samit online të planifikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
SHBA u bën thirrje vendeve prodhuese të vaksinës të dhurojnë 1 miliardë doza shtesë vaksine dhe të përshpejtojnë shpërndarjen e 2 mld dozave të vaksinës për të cilat janë zotuar deri tani.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karin Jean-Pierre konfirmoi objektivin e vaksinimit prej 70%, por nuk dha detaje mbi samitin ose dokumentin.
Shkresa u bën thirrje vendeve më të pasura të sigurojnë që të paktën 3 miliardë dollarë të jenë në dispozicion në 2021 dhe 7 miliardë dollarë në 2022 për të siguruar gatishmërinë për vaksinim.
Muajin e kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore dhe organizatat e tjera ndërkombëtare bënë thirrje udhëheqësve botërorë për të shpejtuar vaksinimet, duke paralajmëruar se më pak se 2% e të rriturve në shumicën e vendeve me të ardhura të ulëta janë vaksinuar.

