Përfundon takimi Merkel-Rama në Pallatin e Brigadave, tani takimi me krerët e qeverive të Ballkanit

Ka përfunduar takimi "kokë më kokë" i kancelares Merkel me kryeministrin Rama.

Ashtu si ishte parashikuar, sipas axhendës pritet zhvendosja e delegacioneve nga Pallati i Brigadave drejt Tirana Business Park.

Kryeministri i Kosovës, zoti Kurti ka mbërritur dhe pritet që të zhvendoset drejt Tirana Business Park ku do të zhvillohet takimi mes liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Bosnjës, Zoran Tegeltija dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe ai malazez Zdravko Krivokapiq tashmë kanë mbërritur para kohës se përcaktuar sipas protokollit shqiptar.

Po ashtu, do të ketë një foto familjare të kancelares Merkel me të gjithë kryeministrat e gjashtës së Ballkanit Perëndimor.

Ky takim zhvillohet para Samitit të radhës së vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet më 6 tetor në Slloveni.

Temë bosht e këtij takimi është padyshim bashkëpunimi rajonal dhe Procesi i Berlinit, një iniciativë që është vlerësuar si urë lidhëse mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Më shumë rreth këtij takimi pritet të mësojmë nga konferenca e kancelares Merkel me kryeministrin Rama e planifikuar rreth orës 14:30.

Takimi në Palltin e Brigadave ka zgjatur rreth 40 minuta, rapoerton gazetarja e Ora News, Anxhela Celibashi.