"Lufta" Berisha-Basha, Kadilli: Na duhet një parti që nuk qan hallet e kryetarit

Ish-kandidati për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli, e sheh si një luftë personale përplasjen Berisha-Basha.

I ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, ai thotë se kjo nuk është betejë parimesh.

Kadilli: Është për të ardhur keq, jemi në momentin kur duhet tu propozojmë shqiptarëve opozitën e re dhe në vend të kësaj i japim teatrin e luftës sonë. Do të ishte për tu duatrokitur nëse do ishte një luftë parimesh, por është një luftë ku vetëm parimet mungojnë. Është lufta midis dy liderve, ish-kryetarit dhe kryetarit nga e cila nuk vjen asgjë er mirë për PD, demokratët dhe opozitën në terësi. Do të dobësohet e gjithë opozita. Berishës në momentin që ju prek ekzistenca politike ai reagon dhe nxjerr gjithë inventarin e  akuzave që i është bërë zotit Basha dhe Berisha ka qenë avokati më i madh.Njëri bën llogari politike për karrierën e tij të ardhshme dhe tjetri për ekzistencën e  tij politike. Po demokratët ku janë, opozita ku është?

Përplasja ka zbritur edhe në bazë te mbështetësit. Kadilli insiston se demokratët duhet të bëjnë një parti që del mbi kryetarin dhe interesat personale të tij.

Kadilli: Të dy palët kanë pasuesit me përfitim dhe pasuesit emocionalë. Ne duhet të shpëtojmë PD nga dy fenomenet, nga fanatizmi proberishian dhe oportunizmi që mbështjell si sëmundje e butë sjelljen e Bashës. Duhet të bëjmë një parti që të jetë më e madhe se kryetari. Na duhet një parti që nuk rri aty për të qarë hallet e kryetarit, i dalin hesapet Bashës apo Berishës.

Sipas Kadillit, dualiteti me paraardhësin e tij e ka mbajtur Bashën jashtë të qënit lider.

Kadilli: Pse nuk e kanë besuar njerëzit zotin Basha si lider, në çdo sondazh ka dalë me më pak pikë përqindje sesda mbështetja për partinë. Gjithmonë kanë besuar se ka dy liderë në parti dhe fakti është se janë dy. Kam shpresuar që Berisha të vetëlargohej, ta zgjidhte vetë këtë krizë, të mos mbetej një gjyle në këmbët tona. Duhet të gjejmë kurajon të shkëputemi nga e shkuara sado e lavdishme të jetë, është një shkuar që na mban peng. Ne nuk mund të mbetemi peng e të shkuarës.  Nga ana tjetër nuk mund të rrimë si miu fshehur prapa poçes dhe të marrim vendimin sekondën e fundit.

Edhe pse në dukje moment i sekondave të fundit, Kadilli thotë se Basha parapërgatitur aktin që u finalizua me përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD.

Kadilli: Basha mori tapinë e partisë por kujt i hyn në punë nëse nuk është efektive. Na duhet opozitë që prodhon opozitarizëm dhe këtë nuk e bën dot thjesht se ke vulën dhe listën e anëtarëve. Berisha është viktimë e asaj që krijoi në 30 vjet si kulturë politike, kryetarokracisë dhe viktimë e  zgjatimit që e prodhoi vetë, nga modeli i vet dhe njeriu i vet. Sot u japim qytetarëve një përplasje, derbi.

Sipas tij, demokratët nuk duhet të bëhen pjesë e një beteje ku njëri mbron veten dhe tjetrin mbron veten.