Fitorja e Shqipërisë 5:0 kundër San Marinos, Tafaj: Kemi kombëtaren më të mirë ndër vite
Fitorja e Shqipërisë kundrejt San Marinos 5:0 , ditën e djeshme në stadiumin “Elbasan Arena” gëzoi tifozët kuqezi.
Hans Tafaj, ish futbollist dhe trajner pohon në emisionin 'Ditë e Re' në Rtv Ora, se kombëtarja shqiptare është më e mira që ka pasur vendi ynë ndër vite.
"Mendoj që është një kombëtare që bind. 12 pikët që kemi nuk janë rastësi. Të paktën vitet e fundit, kemi kombëtaren më të mirë të gjitha vitet. Kemi më shumë lojtarë që luajnë jashtë nëpër liga të forta të europës. Të luash në ligat më të forta të europës tregon se është një punë goxha e madhe, është një punë që bëhet ndër vite", shprehte trajneri për moderatorët Arjola Shehu dhe Arjon Muça.

Tafaj thotë se kombëtarja shqiptare do të ketë jetëgjatësi, nëse ndryshon mentalitet dhe perspektiv, duke ndjekur strategji sikur është shitja e lojtarëve.
"Kombëtarja do ketë jetëgjatësi, sepse është çështje mentaliteti. Nëse fillojmë shesim lojtarët, ngremë cilësinë e akademive këtu, normalisht që do ketë jetëgjatësi. Dhe nëse rritet dhe kampionati vendas, patjetër do ketë dhe jetëgjatësi."
I pari që ka shënuar për kombëtaren tonë ka qenë Rei Manaj në minutën 32.
Më pas ka qenë Qazim Laçi ai që në minutën 58 shënon golin e dytë të takimit, ndërsa në minutën 61 Armando Broja shënon golin e tretë. Ndërkohë në minutën 68 ka shënuar edhe kapiteni Hysaj.
Nuk ka munguar as një gol i Uzunit në minutën 80 i cili ka shënjuar edhe rezultatin e ndeshjes. Nga ana tjetër, kuqezinjve u janë anuluar edhe dy gola të tjerë të cilët ishin në pozicion jashtë loje.

