Gratë afgane bëjnë martesa të detyruara që të largohen nga vendi i pushtuar nga talibanët

Zyrtarët amerikanë që merren me refugjatët afganë jashtë vendit paralajmëruan kohët e fundit Departamentin e Shtetit Amerikan për rastet kur gratë dhe vajzat detyrohet të martohen për tu evakuuar nga talibanët.

Sipas CNN, raste të tilla kanë ndodhur ndërsa afganët ishin prezentë në një qendër tranziti jashtë vendit.

Këto burime nënvizojnë dëshpërimin në mesin e afganëve për të ikur nga vendi pas pushtimit të talibanëve dhe dëshmojnë  frikën se çfarë do të thotë sundimi i tyre për gratë e vajzat atje.

Disa gra dhe vajza afgane të vendosura në një nga qendrat e evakuimit në Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan se familjet e tyre i kishin detyruar ato të martoheshin jashtë aeroportit në Kabul në mënyrë që ata të mund të iknin nga vendi.

Në disa raste të raportuara, familjet i paguanin burrat që kishin të drejtë për evakuim, me mijëra dollarë për t'u martuar ose për t'u paraqitur si burra për gratë që duan të ikin.

SHBA po mbështetet në vendet e treta si ndalesa të përkohshme para se afganët të fluturojnë në SHBA ose vende të tjera.

Në këto vende të treta, afganët kontrollohen para se të vazhdojnë udhëtimet e tyre. Disa po udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara, ku zyrtarët po përdorin një seri bazash ushtarake për të strehuar të evokuarit.

Kur talibanët sunduan për herë të fundit Afganistanin, midis viteve 1996-2001, ata mbyllën shkollat ​​e vajzave dhe ndaluan gratë të punonin.

Këtë herë, talibanët po premtojnë të formojnë një "qeveri përfshirëse islame afgane", megjithëse nuk është e qartë se çfarë forme do të marrë dhe nëse udhëheqja e re do të përfshijë gra.