Anëtari i grupit “Beatles” të IS-it pranon fajin e vrasjes së pengjeve amerikanë

Një pjesëtar i Shtetit Islamik është deklaruar fajtor për vrasjen e disa pengjeve në kohën kur grupi ISIS ushtronte terrorin në Irak dhe Siri.

37-vjeçari, Aleksanda Kotei, ish-shtetas britanik, i pranoi të teta akuzat e ngritura ndaj tij.

Seanca gjyqësore u mbajt të enjten në qytetin amerikan të Aleksandrisë, në Virxhinia.

"Aleksanda Kotej është pjesëtar i betuar i ISIS-it, dhe pranoi gjithë akuzat që i janë ngritur nga Amerika për pjesëmarrjen në një skemë tmerri të pengmarrjes që rezultoi në vdekjen e katër qytetarëve amerikanë si edhe të shtetasve britanikë e japonezë. Ai ka pranuar ta kalojë në burg pjesën e mbetur të jetës."

37-vjeçari në vitin 2014 ishte pjesë e celulës "The Beatles" brenda ISIS-it, dhe ekzekutonte si i maskuar pengjet e zëna në fushëbetejë.

Mes viktimave ishin gazetarët amerikanë Xhejms Folei dhe Stiven Sotlof, dhe ndihmësit humanitarë, Peter Kasig dhe Kajla Myler.

"I bëj thirrje presidentit Bajden, Kongresit amerikan dhe gjithë amerikanëve, të mbrojmë dhe të ndihmojmë çdo shtetas amerikan të pafajshëm që mbahet peng ose është arrestuar jashtë pa të drejtë," deklaroi jashtë gjykatës e ëma e gazetarit Xhejms Rajt Folei.

37-vjeçari Kotei qëndron i akuzuar në SHBA bashkë me ish-shtetasin tjetër britanik, 32-vjeçarin El Shafi Elsheik, i cili edhe pse ka pranuar se i qe bashkuar grupit terrorist ISIS, nuk bënte pjesë në celulën e ekzekutorëve.

Të dy u kapën janarin e vitit 2018 teksa po tentonin të arratiseshin nga Siria në Turqi.