Biden dënon ligjin që ndalon abortin: Do mbrojmë të drejtat kushtetuese të grave
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka dënuar ligjin e ri të Teksasit, që ndalon abortin që në javën e gjashtë të shtatzënisë.
Ligji ka hyrë në fuqi pak ditë më parë.
Sipas BBC, ai u zotua të mbrojë të drejtat kushtetuese të grave. "Ligji ekstrem shkel të drejtat e grave", tha Biden.
Ndërkohë Gjykata e Lartë ka refuzuar të ndalojë ligjin e ri për abortet. Ligji i jep çdo individi të drejtën të denoncojë e të padisë mjekët që kryejnë aborte pas javës së gjashtë.
Mjekët dhe grupet e të drejtave të grave kanë kritikuar rëndë ligjin. Presidenti i SHBA,në një deklaratë , tha se administrata e tij do të "mbrojë" të drejtat kushtetuese të grave.
Teksasi është një ndër mbi dhjetë shtete, kryesisht të udhëhequra nga republikanët që kanë miratuar ndalimet e abortit "pas momentit që dëgjohet rrahja e zemrës", që shpesh ndodh në gjashtë javët e para të shtatzanisë dhe nganjëherë para se gruaja ta kuptojë se është shtatzënë.
Gjykatat në të kaluarën kanë bllokuar ligje të tilla me kufizime kaq të rrepta ndaj abortit.
Presidenti Biden tha se administrata e tij është "thellësisht e angazhuar" për të mbrojtur të drejtën e abortit të vendosur sipas vendimit të vitit 1973.


