Disa lojtarë të kombëtares islandeze të futbollit të përfshirë në skandale seksuale

Kryeministri i Islandës i ka kërkuar shoqatës së futbollit të vendit që të çrrënjosë abuzimin seksual pasi u akuzua për fshehje të akuzave kundrejt lojtarëve të ekipit kombëtar.

Katrin Jakobsdottir tha se ishte e pikëlluar nga akuzat që kanë futur në krizë trupin drejtues të futbollit të Islandës (KSI).

Skandali u shfaq javën e kaluar pasi një grua bëri akuza për abuzim seksual.

Në një intervistë me transmetuesin publik RUV, Thorhildur Gyda Arnarsdottir, 25 vjeç, akuzoi një anëtar të ekipit kombëtar për sulm ndaj saj në një klub nate në Reykjavik, në shtator 2017.

Ajo tha se ajo dhe një grua tjetër kishin paraqitur raporte policie kundër një lojtari për sulme seksuale atë natë.

Të hënën klubi i futbollit IFK Gothenburg adresoi raportet se "një nga lojtarët e tyre kreu ngacmim seksual në 2017".

Lojtari, i cili nuk u bë i ditur, u raportua në polici. "Hetimi policor nuk çoi në ndonjë ndjekje penale, por palët ranë dakord për një marrëveshje," - tha klubi.

Mediat Islandeze thonë se akuzat kundër anëtarëve aktualë dhe të mëparshëm të ekipit kombëtar kanë qarkulluar në mediat sociale prej javësh.

Të martën kryeministri iu drejtua skandalit pas një takimi të kabinetit, duke i thënë RUV se ishte e trishtueshme që u deshën këto akuza për të krijuar diskutime rreth abuzimit seksual brenda futbollit.