Konkurenca e pandershme në tregun e celularëve

Informaliteti i lartë në vend ka vënë përpara një konkurrence të pandershme bizneset në Shqipëri. Ky fenomen është kryesisht i pranishëm në subjektet e shitjes me pakicë dhe sidomos në kategorinë e celularëve. Vetë qytetarët duhet të ndërgjegjësohen duke denoncuar rastet kur nuk marrin kupon tatimor, por ndërhyrje duhet të ketë gjithashtu dhe nga shteti me penalitete për abuzuesit.

Shqipëria ka një nivel informaliteti dy herë më shumë se mesatarja e vendeve anëtare të BE-së me rreth 30- 35% të prodhimit të brendshëm bruto, sipas një raporti të Bankës Botërore.

Informaliteti në vend është i pranishëm kryesisht në subjekte të vogla, sidomos ato të shitjes me pakicë. Kjo detyron bizneset transparente të sakrifikojnë marzhin për të qenë konkurrues.

Konsumatorët nga ana tjetër, bien pre e produkteve të lira, shpesh herë pa kuptuar se kanë humbur garancinë dhe cilësinë.

Jo vetëm kaq, por organizimi i tregtisë me qellim mosdeklarimin e detyrimeve tatimore, sjell edhe mosdeklarimin e punonjësve dhe refuzimim e pagesës minimale të detyrueshme.

Informaliteti në Shqipëri është i pranishëm në forma të ndryshme si biznese të paregjistruara apo evazion fiskal me qëllim uljen e taksave dhe detyrimeve ndaj organeve tatimore.

Kjo ka bërë që të ketë një konkurrencë të pandershme në dëm të bizneseve që deklarojnë 100% të aktivitetit të tyre financiar dhe paguajnë rregullisht TVSH.

Kategoria më e prekur është ajo e celularëve, e ndjekur nga veshjet pasi më shumë se 50% e tregtimit të celularëve kryhet pa deklaruar, nëpërmjet furnizimit alternativ.

Kjo kauzë kërkon bashkimin e bizneseve për zvogëlimin e këtij fenomeni në tregun shqiptar por duke mos munguar as ndërgjegjësimi i vetë qytetarëve me njohjen e këtij fenomeni dhe pasojave të tij në xhepin e tyre.

Ata duhet të raportojnë rastet kur nuk lëshohet kupon tatimor ndërsa shteti duhet të lehtësojë taksat që ndihmojnë biznesin transparent që të konkurrojë duke eleminuar tregun e zi.

Kjo mund të arrihet përmes forcimit të kontrolleve nga institucionet përkatëse duke penalizuar bizneset informale deri në mbylljen e aktivitetit të tyre tregtar.