Papa Françesku mesazh qytetarëve: Vaksinohuni, është akt dashurie
Papa Francesku ka bërë një apel gjatë shërbesës së tij të mërkurën, 18 gusht duke u bërë thirrje njerëzve që të vaksinohen kundër Covid-19.
Ai shtoi se vaksinat mund t'i japin fund pandemisë, por duhen marrë nga të gjithë.
"Falë Zotit dhe punës së shumë njerëzve, ne tani kemi vaksina për të na mbrojtur nga Covid-19. Vaksinimi është një mënyrë e thjeshtë, por kuptimplotë e promovimit të mirës publike, veçanërisht për më të brishtët. I lutem Zotit që të gjithë të mund të kontribuojnë me grimcën e tyre të rërës, me aktin e tyre të dashurisë" tha Papa në një video mesazh.
"Ato na japin shpresën për t'i dhënë fund pandemisë, por vetëm nëse ato janë të disponueshme për të gjithë dhe nëse punojmë së bashku."
Vaksinat janë gjerësisht të disponueshme në vendet kryesisht më të pasura, por mosbesimi dhe hezitimi ndaj tyre ka bërë që shumë njerëz të refuzojnë t'i marrin, duke i bërë ata veçanërisht të prekshëm ndërsa varianti Delta po përhapet.
