Trump fajëson pasardhësin demokrat për situatën në Afganistan: Biden na turpëroi!
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i kërkoi pasardhësit të tij, Joe Biden, të japë dorëheqjen pasi me situatën në Afganistan e ka ulur figurën e Amerikës si asnjë President tjetër.
Republikani që u largua nga detyra 8 muaj më parë tha se administrata demokrate gaboi që e tërhoqi ushtrinë nga vendi kur kuptoi se Talibani nuk po i përmbahej marrëveshjes së vitit të kaluar për paqe dhe një qeveri me afganët.
"Është kohë e tmerrshme për vendin tonë. Në gjithë këto vite nuk besoj që shteti ynë të jetë poshtëruar kaq shumë. Nuk e di si ta quaj - një nënshtrim ushtarak apo psikologjik, por një gjë e tillë nuk është parë kurrë. Dhe më e keqja, as nuk besoj që po i merr Biden këto vendime," tha Trump.
Trump tha se ai ishte tronditur nga skenat në aeroportin e Kabulit, kur kishte parë afganët që kapeshin pas avionëve në tentativën për t'u evakuuar nga vendi, por disa gjetën vdekjen.
"Po përpiqeshin të iknin nga Afganistani prej frikës së pabesueshme dhe ranë nga 600 metra në ajër. Këto skena ia kalojnë edhe episodeve me helikopterët në Vietnam apo me Krizën e Pengjeve në Iran në kohën e Xhimi Karterit," u shpreh Trump.
Ish-Presidenti amerikan që tani kërkon të rivijë në pushtet thotë se edhe e priste fitoren e fundit të talibanëve pasi presidenti Ashraf Gani që tani e ka braktisur qeverinë dhe vendin, i ishte dukur një person që i kishte hyrë politikës për para dhe për darkat me personalitetet e huaja.
Trump shtoi se amerikanët as nuk duhet ta kishin nisur luftën në Afganistan.
"E di që familjes Bush nuk do i pëlqejë kjo, por besoj se shkuarja në Lindjen e Mesme ka qenë vendimi më i keq në historinë e vendit tonë. E kemi shkatërruar Lindjen e Mesme. Na ka kushtuar triliona dollarë, miliona jetë dhe prapë nuk ka ndryshuar nga ç'ishte. Tani madje është më keq sepse duhet rindërtuar pasi është bërë copash," deklaroi ish-presidenti Trump.
