Venezuelë, manovra për ngërçin politik, shumica e opozita firmosin marrëveshjen për nisjen e dialogut

Prej vitit 2018, Venezuela e gjen veten në një ngërç politik pasi opozita e akuzon presidentin Nikola Maduro për riardhjen në pushtet me zgjedhje të vjedhura. Palët politike kanë vendosur të nisin dialogun pasi vendi gjendet edhe në një krizë të rëndë ekonomike.

Shumica dhe opozita venezuelase po provojnë t'i japin fund ngërçit politik që vazhdon prej 2018-ës nga rizgjedhja e presidentit Nikola Maduro.

Vetë presidenti dhe lideri i opozitës, Huan Guaido, nuk morën pjesë në firmosjen e marrëveshjes që palët realizuan të premten me nismë të qeverisë meksikane dhe Norvegjisë.

Norvegjia do të jetë ndërmjetësja mes palëve.

"Askush tjetër nuk ua zgjidh dot këtë situatë. Ne presim që të hyni në këtë proces me një qasje serioze dhe konstruktive. Shpresojmë që të dëgjoni shqetësimet e palës tjetër dhe të popullit venezuelas."

Memorandumi i fundit i mirëkuptimit thekson nevojën për stabilitet ekonomik dhe për shmangien e çfarëdo episodi dhune politike.

Venezuela gjendet përballë krizës më të keqe në historinë e saj moderne, tha përfaqësuesi i opozitës, ndërsa kryeparlamentari i dërguar nga presidenti Maduro bëri thirrje lehtësimin e vendit nga sanksionet politike dhe ekonomike që Amerika aplikon prej vitesh tashmë.

Uashingtoni i ka sugjeruar Maduros të mbajë zgjedhje të reja presidenciale, ndërkohë që kreu i shtetit venezuelas, dikur një shofer autobusi që erdhi në pushtet pas vdekjes së ish-presidentit Hugo Çavez, ka thënë se nuk do i nënshtrohet shantazheve të qeverisë amerikane.

SHBA-ja nënvizon se sanksionet, si embargoja mbi naftën, shërbejnë si instrumente për garantimin e llogaridhënies për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Venezuelë.

Mbi 60 shtete të botës njohin aktualisht opozitarin Huan Guaido si president të vendit.

Ndërkohë në fund të muajit dy palët pritet të takohen sërish për të përpiluar axhendën me 7 pika ku do i përqendrojnë bisedimet për zgjidhjen e krizës politike.