Ofensiva, talibanët i afrohen Kabulit, ushtria afgane dorëzon qytetet dhe miliarda dollarë armatime

Kontingjenti i parë i trupave amerikane ka mbërritur në Afganistan për të asistuar në evakuimin e ambasadës së SHBA-së, teksa talibanët i janë afruar Kabulit. Më shumë se gjysma e 34 provincave afgane janë nën kontrollin e militantëve pas 3 muajve ofensivë.

Talibanët rrethuan të shtunën territoret përqark kryeqytetit afgan, Kabulit, dhe po bëhen gati të marrin edhe kështjellën më kryesore të vendit.

Kandahari dhe Herati, dy qytetet e tjera më të mëdha, u dorëzuan orë më parë pa shumë rezistencë nga forcat qeveritare.

Militantët tani kontrollojnë veriun, perëndimin dhe jugun, e bashkë me gjysmën e provincave kanë marrë rrugës edhe armë të sofistikuara e mjete të lëna pas nga kundërshtarët, të cilat Perëndimi investoi miliarda dollarë për afro 20 vite për t'i pajisur.

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, Xhon Kërbi, tha se qeveria amerikane po habitet se si afganët nuk po reagojnë sa duhet për të mirën e tyre.

"Duam të shohim në terren vullnet dhe lidership politik e ushtarak. Këtë e shpresojmë por që të ndodhë, u takon afganëve ta vendosin."

Edhe pse Amerika thotë se ushtria afgane me gati 300 mijë pjesëtarët e saj, duhet të ketë epërsi përballë talibanëve, militantët po avancojnë më me shpejtësi nëpër territor.

Në fundjavë radha për mësymje i erdhi qytetit të madh verior të Mazar-i-Sharafit dhe distriktit të Çar-Asiabit, vetëm 11 kilometra larg Kabulit.

Militantët u shfaqën edhe pranë Ismailt Kani, "Luanit të Heratit" siç njihet për bëmat e tij në fushëbeteja dhe si prijësi i vjetër afgan që muajin e shkuar bëri thirrje për t'i luftuar talibanët.
Trupat e huaja nga Amerika dhe Evropa mbërritën në kryeqytet për të evakuar personelin diplomatik dhe shtetasit e tyre.

Ndërsa Perëndimi i druhet luftës civile dhe hakmarrjes së militantëve ndaj civilëve, presidenti i Afganistanit, Ashraf Gani, deklaroi në fundjavë se ai nuk do të lejojë që të vriten më shumë të pafajshëm dhe të zhbëhen arritjet e 20 viteve të fundit.

"Prandaj kam nisur konsultimet brenda qeverisë, me Kuvendin e Pleqve, me liderët politikë, me përfaqësues të popullit dhe partnerë ndërkombëtarë. E di që jeni të shqetësuar për të tashmen dhe të ardhmen tuaj dhe ju siguroj si President se fokusi im do të jetë shmangia e destabiliteti, e dhunës, e shpërnguljes së popullit tonë," deklaroi kryeshtetari afgan.