Kërcënohet Papa Françesku, i dërgojnë zarf me plumba

Mediat italiane raportojnë se ditën e sotme Papa Françesku është kërcënuar përmes një zarfi me tre plumba që ishin nisur në adresën e tij por që nuk mbërritën në Vatikan.

Policia e konfiskoi pakon me plumba që ishte nisur përmes postës së Milanos.

Mediat italiane shkruajnë se zarfi me plumba u kap nga karabinierët e kompanisë San Donato të cilët kanë nisur hetimet së bashku me detektivët e njësisë hetimore të Milanos nën drejtimin e prokurores Alessandra Cerreti.

Të gjitha drejtimet hetimore janë të hapura.

Dyshohet se letra u dërgua nga Franca (ishte e vulosur me një pullë postare nga përtej Alpeve); dërguesi nuk ishte shkruar në zarf dhe emri i marrësit ishte shkruar me stilolaps me një dorëshkrim të lexueshëm. Më konkretisht, letra i drejtohej “Papës – Qyteti i Vatikanit, Piazza S. Pietro në Romë”.