Bashkimi Europian ka kërcënuar Bjellorusinë me sanksione të reja

Bashkimi Europian ka kërcënuar Bjellorusinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Lukashenko, se rrezikojnë sanksione të reja.

Të hënën u bë një vit nga nisja e protestave antiqeveritare kundër kreut të shtetit që e udhëheq ish-republikën sovjetike prej vitit 1994.

9 gushtin e kaluar ai shpalli qëndrimin në pushtet pasi rezultati i zgjedhjeve e nxori sërish fitues me 80 për qind të votave, pavarësisht kontestimeve nga opozita dhe nga shtetet perëndimore.

Në protestat masive që pasuan u dëbuan dhe u arrestuan liderë politikë e gazetarë, u burgosën aktivistë të shoqërisë civile dhe mijëra të rinj.

"Burgosjet arbitrare dhe të pabaza, persekutimet, mohimi i një gjyqi të drejtë dhe qindra raste të dokumentuara torture vijojnë edhe sot," reagoi kryediplomati i BE-së, Xhozep Borel.

Bashkimi Europian nuk e njeh Lukashenkon për president dhe i ka kërkuar t'i shtrijë dorën opozitës për të riorganizuar zgjedhje të tjera.

Bashkëpunëtorët e ngushtë të Lukashenkos dhe zyrtarë shteti janë ndëshkuar me sanksione për veprimet e tyre antidemokratike.

Sanksionet morën trajtën ekonomike së fundmi kur Bjellorusia urdhëroi uljen e një avioni dhe arrestimin e një gazetari kritik me presidentin.

Kryeshtetari bjellorus ka thënë se do që të ndryshojë kushtetutën dhe ta hedhë në referendum popullor në muajin shkurt.

Ndryshimet kushtetuese nuk janë të qarta, por ekspertët politikë pretendojnë se ai do të krijojë një post të ri që të vazhdojë ta drejtojë vendin, ndërsa mund të caktojë një president të ri.