Forcat talibane marrin qytetin e Kunduzit, e treta qendër provinciale në tri ditët e fundit

Talibani ngriti të dielën flamurin e vet në një tjetër qytet të Afganistanit, duke e shtrirë më tej kontrollin mbi territorin e republikës islamike.

Grupi fundamentalist që kishte për herë të fundit pushtetin në vitin 2001 tha se zotëron rajonet e policisë, godinën e guvernatorit dhe burgun e qytetit të Kunduzit.

Qyteti verior konsiderohet strategjik në aspektin ushtarak dhe politik me 370 mijë banorët e vet, për shkak të afrisë me shtetin e Taxhikistanit.

Ai u shtohet tri prej 34 qendrave të tjera provinciale që kanë rënë në dorën e talibanëve brenda pak ditëve, si Zaranji, Shebergani dhe Sar-i-Puli.

Sulmet ndaj qendrave janë bërë në shkelje të marrëveshjes së vitit të kaluar me Amerikën.

Ofensiva e lëvizjes fundamentaliste nisi në maj kur trupat e huaja filluan sipas marrëveshjes që të tërhiqen nga lufta gati 20-vjeçare.

Tashmë vlerësohet se talibanët kontrollojnë më shumë se gjysmën e rreth 400 disktriteve, të dorëzuara nga forcat ushtarake qeveritare.

Amerika vijon të mbështetë ushtrinë vendëse me fushata ajrore, dhe në fundjavë mësohet se nxori avionët e saj bombardues duke vrarë mbi 200 talibanë e duke shkatërruar mjete e municione që i përkasin lëvizjes islamike.