"Mos lëvizë asnjë se do t'iu vras të gjithëve", detaje nga konflikti për pronën në Lushnjë ku mbeti i vrarë 30-vjeçari

Për herë të parë që nga vrasja e vëllait të tij, dhe plagosja e vëllait tjetër dhe babit në Lushnje, ka folur për media Leart Hasalla.

Ai ka shpjeguar versionin e tij të ngjarjes, një ditë pasi Gjykata e Lushnjes ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Kastriot Hasallën, si i dyshuari kryesor për ngjarjen e rëndë ku mbeti një viktimë dhe 3 të plagosur.

Leart Hasalla thotë se me familjen e autorit nuk ka pasur kurrë konflikt ndërsa thotë se Kastrioti së bashku me vëllaun e tij dhe djalin kishin shkuar mëngjesin e 29 korrikut jo për t’u sqaruar, por për t’i vrarë.

"Mos lëvizë asnjë se do t'iu vras të gjithëve," na tha. "Unë kam ardhur kastile për t'iu vrarë," tha ai megjithëse ai nuk e pranon. Afrimi në ato momente i ka gjuajtur plakut me sëpatë në këmbë. Më ka gjuajtur mua 2 herë por më ka plagosur vetëm në këmbë. Na lanë aty dhe ikën të tre. Ne e futëm vëllain e ndjerë në makinë dhe ikëm në Lushnje. Ne nuk kemi pasur asnjë lloj debati me ta," tha Learti.

Vëllai tjetër i autorit tha për mediet të mërkurën se ata i druhen një hakmarrjeje të mundshme, ndërsa këtë gjë e hedh poshtë Leart Hasalla, duke thënë se gjithçka do ja lënë në dorë drejtësisë.

"Këtë punë e ka shteti në dorë, drejtësia. Unë kërkoj drejtësi. Nuk dua asnjë gjë. Nuk kam punë as me ngjarjen, as me fëmijët e tij, as me nipër e stërnipër nuk më interesojnë. Unë do kërkoj vetëm drejtësi," tha ai.

Kastriot Hasalla ka pranuar krimin në Gjykatën e Lushnjes, dhe teksa ka shprehur pendesë ka liruar nga përgjegjësia vëllain tjetër dhe të birin.

Mëngjesin e 29 korrikut, Kastriot Hasalla vrau Romeo Hasallën, ndërsa plagosi Shaip, Emiliano dhe Leart Hasallën në tokën ku të dy familjet pretendonin pronësinë e saj.