Ka të tjerë shqiptarë në kampet e ISIS në Siri, një tjetër operacion në zhvillim


Mbërrijnë në Atdhe 14 fëmijë dhe 5 gra shqiptarë nga kampi i ferrit Roxh në Siri. Kryeministri Edi Rama deklaroi se ka një tjetër operacion në zhvillim

“Ka një operacion tjetër për të zhvilluar me një numër që ende nuk e dimë saktësisht pasi është një punë terreni për të gjetur personat në ato vrima të zeza ku gjenden, por llogarisim një numër pak a shumë të njëjtë me këtë të sotmin në mos pak më i vogël duke menduar që më shumë sesa gjysma  tani është marrë dhe është në vendin tonë” tha Rama në një konferencë për shtyp nga aeroporti i Rinasit pasi zbritën nga avioni gratë dhe fëmijët e riatdhesuar. 

Sa shqiptarë kanë mbetur në kampet e ISIS?

”Është vërtet një situatë ferri në ato kampe lufte. Është punë kërkimore. Ne kemi çuar një numër të caktuar profilesh prej fillimit kur kemi dhënë kontaktet edhe me ndihmën e paçmuar të konsullit tonë në Liban por ato janë profile që ne i disponojmë nga koha e mëparshme kur këta individë kanë rezultuar të larguar drejt atij fronti. Një pjesë kanë gjetur vdekjen. Një pjesë janë përgjithësisht fëmijë gra, edhe ish luftëtarë, por këto të fundit janë nëpër burgje. Është e paqartë sesa është numri që mbetet për tu tërhequr" tha Rama. 

Dy persona kanë refuzuar të riatdhesohen, pasi janë pengje brenda kampit.