Qerimaj i pari në Baterinë B, shumë pak shanse për medalje në Tokyo 2020

Peshëngritësi i dytë kuqezi në Olimpiadën e Tokyos, Erkand Qerimaj ka mbyllur garimin e tij për peshën deri në 81 kg.

Në baterinë e tij, sportisti kuqezi u rendit i pari me një total prej 338 kg në dygarësh që do të thotë se duhet të presë baterinë A për të kuptuar nëse ka shanse për medalje që gjithsesi jane pothuajse zero.

Qerimaj e nisi garën me 151 kg në shkëputje e më pas me 155 kilogramë dhe në të fundit me 157 kilogramë.
Në stilin e shtytjes ngriti me sukses 181 kg dhe provoi edhe me 185 dhe 187, por nuk arriti t’i ngrinte dot dhe po t'ia kishte arritur do të shtonte shanset për medalje.

Qerimaj i pari në Baterinë B, shumë pak shanse për medalje

Gjithsesi, garimi për peshëngritjen kuqezi mbyllet këtu në Tokyo 2020 dhe mbyllet pa medalje ndërsa tani shpresat mbeten te Izmir Smajlaj dhe te Luiza Gega.