Arsenali blen një mbrojtës për 50 mln Paund, Liverpool “blindon” Alexander Arnold

Arsenali blen një mbrojtës për 50 mln Paund, Liverpool

Merkato në Premier League ka hyrë në një moment të nxehtë teksa Man. United deri tani po dominon me blerjet e mëdha teksa ende nuk janë shfaqur Liverpool me Man. Cityn.

Në pritje të lëvizjeve të tyre, është Arsenali që ka bërë një goditje të rëndësishme, kësaj radhe jo lojtar nga jashtë Anglisë por brenda në ishull dhe ka shpenzuar jo pak por 50 mln Paund.

Bëhet fjalë për mbrojtësin Ben White nga Brighton, një nga më të mirët në Premier League sezonin e ardhshëm me lojtarin që firmosi një kontratë 5-vjeçare për topçinjtë duke u bërë përforcimi i tretë për Artetan. Më parë Arsenali ka mbyllur edhe dy marrëveshjet e tjera, me mbrojtësin Tavares nga Benfica dhe mesfushorin e ri Lokonga nga Anderlecht.

Ndërkohë Liverpool që deri tani ka blerë vetëm mbrojtësin Konate nga Leipzig, bëri të ditur se ka zgjatur kontratën e Trent Alexander-Arnold, një nga mbrojtësve më të mire jo vetëm të “The Reds” por edhe në Premier League.

Mbrojtësi i krahut është një produkt i Akademisë dhe prej shumë sezonesh po tregon se ka pak si vetja në Angli dhe Liverpooli nuk mund të qëndronte pa shpërblyer besnikërinë dhe performancat e tij me një kontratë të re deri në 2025.

Arnold ka qenë edhe objektiv për disa ekipe në merkato por asnjëherë nuk ka dhënë sinjale që mund të largohet madje në të ardhmen jo shumë të largët mund të bëhet edhe kapiten.