Allegri show në daljen e parë: Bonucci ta blejë shiritin, për Juven refuzova Realin

Na kishte munguar Massimilliano Allegri në konferencën për shtyp. Ndoshta ato shprehjet e tij filozofike dhe epike do të jenë sërish mes nesh ndërsa në konferencën e parë për shtyp në krye të Juventusit, trajneri livornez nuk zhgënjen dhe e nis menjëherë me batuta.

Menjëherë ai u ngacmua dhe u pyet nga gazetarët se kush do të jetë kapiteni, ndoshta Bonucci me të cilin ka patur fërkime e shigjetat për mbrojtësin nuk mungojnë.

“Bonucci u largua për një sezon dhe hierarkia ka ndryshuar, mori atë vendim, kështu që nëse dëshiron shiritin e kapitenit, duhet ta blejë dhe të luajë me të në rrugë. Ai është i vetëdijshëm për këtë. Kapiteni dhe zëvendës-kapiteni caktohen në varësi të kohës që kanë luajtur në ekip. Kështu që Chiellini është ai më me përvojë, i ndjekur nga Dybala”.

Duke hequr batutat, Allegri më pas u bë dhe serioz ku u shpreh i vlerësuar dhe tha se ka emocione në daljen e parë si trajner pas 2 vitesh mungesë.

“Pas dy vitesh është sit ë ishte hera e parë për mua, jam paksa i emocionuar. Kur e fillova u ndjeva sikur isha kthyer 18 vjet më parë kur fillova karrierën time të trajnerit. Jam i ngazëllyer dhe i kënaqur, për një javë kisha vetëm djem të rinj këtu që bënë një provë të mirë të shtunën e kaluar. Tani të gjithë po kthehen dhe nuk duhet të mendojmë më për të kaluarën. Tani duhet të shohim drejt së ardhmes, unë kam një ekip të shkëlqyer në dispozicionin tim. Jemi duke punuar në përpjekjen për ta rregulluar ekipin e për ta vënë në rrugë të drejtë. Skuadra ka shumë lojtarë të rinj dhe me vlerë që kanë mundësinë të përmirësohen dhe së bashku me këta ka edhe lojtarë me eksperiencë si Ronaldo, Chiellini dhe Bonucci. Ato duhet të jenë një vlerë e shtuar për ekipin si shembuj për më të rinjtë".

Më pas trajneri i bardhezinjve i rikthehet histories së rikthimit ku zbuloi se për here të dytë ka refuzuar Real Madridin për të drejtuar sërish “Zonjën e Vjetër”.

“Jam krenar për faktin që Juventusi më thirri përsëri dhe për dashurinë e tifozëve. Nga 22 gushti duhet të fitojmë pikë. Ajo që kemi arritur nuk na ndihmon për të fituar trofe të tjerë, duhet të mendojmë për atë që duhet të bëjmë. ADN-ja e Juves është e përpiktë, fitoret vijnë përmes sakrificës. Ronaldo? është kampion i madh, lojtar i jashtëzakonshëm dhe djalë i zgjuar. Kam folur me Cristianon, i thashë se ky vit është i rëndësishëm. Jam i lumtur që e gjeta këtu. Ka një përgjegjësi më të madhe se tre vjet më parë. Pres shumë prej tij për sa i përket përgjegjësisë. Lufta për titull? Do të jetë një kampionat i ekuilibruar. Milani është rritur, lojtarët e tyre të rinj janë një vit më të vjetër. Milani është favorit, së bashku me Interin, Juventusin dhe Romën, Napolin e Lazion. Do të jetë e rëndësishme të kemi vazhdimësi”.