Milot, zjarri shkrumbon banesën, shpëtojnë 7 anëtarët e familjes Cerri

Një banesë 2 katëshe u shkrumbua nga zjarri gjatë natës së kaluar në Milot të Kurbinit. Shtatë anëtarët e familjes që ndodheshin në shtëpi shpëtuan pa lëndime por dëmet materiale nga ngjarja janë të konsiderueshme. Ekspertët po punojnë për përcaktimin e shkakut të zjarrit ndërkohë që familja e prekur bën apel për ndihmë pasi ka mbetur tashmë e pastrehë.

Një banese dy katëshe u përfshi nga flaket në Milot të Kurbinit, ndërsa 7 pjesëtarët e familjes shpëtuan pa dëmtime.

Ngjarja ndodhi mesnatën e së mërkurës në banesën e Martin Cerrit, ndërsa këto pamje tregojnë atë çfarë ka mbetur nga zjarri.

Sipas të dhënave paraprake vatra e zjarrit dyshohet se ka qenë në automatin e shtëpisë ndërsa më pas flakët janë përhapur me shpejtësi në të gjithë banesën.

Anëtarët e familjes kanë qenë në gjumë dhe sapo kanë dëgjuar zhurmën dhe kanë konstatuar flaket janë zgjuar dhe kanë arritur të dalin nga banesa pa lëndime.

"Ne kemi qenë në gjumë, 7 persona. Mu bllokua frymëmarrja dhe dolëm jashtë. Burri ishte brenda dhe u fut nusja dhe djali në flakë duke e nxjerrë jashtë.''

Zjarrfikësit e Kurbinit të ndihmuar dhe nga banorë të zonës u angazhuan në shuarjen e flakëve, ndërsa dëmet material janë të konsiderueshme.

''Kemi shpëtuar të gjithë dhe falënderoj zotin dhe rininë e Milotit. Dëmet janë të shumta, rreth 90 milionë lekë."

Familja Cerri apelon për ndihmë, pasi me të ardhurat e tyre e kanë të pamundur rindërtimin e shtëpisë.

"Janë djegur të gjithë orenditë e shtëpisë."

Grupi hetimor i cili shkoi në vendin e ngjarjes po kryen procedurat për përcaktimin e shkakut të zjarrit që shkrumboi thuajse plotësisht banesën dy katëshe të familjes Cerri.