Komplot për rrëmbimin e gazetares së VOA-s, Departamenti amerikan i Drejtësisë akuzon katër iranianë

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka akuzuar katër shtetas iranianë se dëshën të rrëmbenin një gazetare që jeton në Amerikë për shkak të qëndrimeve të saj kritike ndaj regjimit në Iran. Komploti u shmang ndërsa viktima raportohet se do të ishte Masih Alinexhad.

Amerika ka akuzuar katër shtetas iranianë se komplotuan për të rrëmbyer një gazetare amerikane që ëshë kritike ndaj Teheranit.

Departamenti i Drejtësisë njoftoi se të dyshuarit janë një zyrtar i shërbimit informativ iranian dhe tre operativë të tjerë, banues në Iran.

Një bashkëpunëtor që jeton në Kaliforni akuzohet se financoi skemën e rrëmbimit.

Nuk bëhet e njohur viktima e pretenduar nga pala amerikane, por Masih Alinexhad, një gazetare dhe aktiviste me prejardhje nga Irani, e cila është e njohur për qortimin e qeverisë dhe politikave iraniane, veçanërisht mbi të drejtat e njeriut dhe për qëndrimin që gratë të mos e mbulojnë fytyrën siç ua kërkon republika islamike, deklaroi se mund të ishte ajo shënjestra.

Sipas Departamentit, viktima do të rrëmbëhej për t'u dërguar në Iran që të burgosej.

"I jam mirënjohëse FBI-së që zbuloi komplotin për rrëmbimin tim nga Ministria e Inteligjencës e Republikës Islamike të Iranit. Komploti u orkestrua nga presidenti Hasan Ruhani," shkroi në Tëitter gazetarja e "Zërit të Amerikës".

Sipas Alinexhadit, operativët iranianë kishin tentuar disa herë që ta ftonin në Turqi me kërcënime dhe me premtimin për të takuar familjen.

Në vitin 2019, një fat të ngjashëm provoi gazetari Ruhollah Zam, i cili jetonte në Francë por me të dalë jashtë u kap prej shërbimit informativ dhe u ekzekutua më vonë nga Irani për akuzën e rebelimit ndaj vendit.