Betejë për të drejtën e votës në SHBA, Biden për republikanët: Matrapazët po cënojnë themelet e shtetit

Politika amerikane vazhdon të debatojë nismat e opozitës republikane për të kufizuar të drejtat e votimit të qytetarëve, që sipas tyre, u keqpërdorën nga demokratët për të mundur ish-presidentin Trump në zgjedhjet e vitit të kaluar. Presidenti Bajden thotë se ky pretendim i rremë është refuzuar vazhdimisht nga gjykatat.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka qortuar ashpër kundërshtarët politikë se po tentojnë të minojnë themelet e demokracisë amerikane.

Të paktën 17 shtete që janë nën udhëheqjen e republikanëve kanë kufizuar të drejtat e shtetasve për të votuar me arsyen se rregullat aktuale lënë vend për manipulim të zgjedhjeve.

Republikanët propozojnë shkurtim të ditëve për votimin paraprak, rregulla më të forta për identifikimin e votuesve dhe për votimin me postë dhe caktim të zyrtarëve politikë për të monitoruar gjithë procesin deri te fletëvotimet.

Opozita pretendon se ish-presidenti Donald Trump i humbi zgjedhjet e vitit të kaluar pikërisht prej manipulimit në masë të sistemit të votimit.

"Në Amerikë sot po ndodh një sulm, një tentativë për të mohuar të drejtën e votës në zgjedhje të lira dhe të drejta. Këtu po sulmohet demokracia, liritë dhe qenia jonë si amerikanë. Dhe janë ndjellësit e frikës, matrapazët që po cenojnë themelet e shtetit tonë."

Presidenti Joe Biden tha se pretendimet e republikanëve për manipulime në zgjedhjet e nëntorit 2020 u hodhën poshtë në mbi 80 gjykata, deri në Gjykatën e Lartë.

Ai bëri thirrje për kalimin e një legjislacioni me standarde të cilat do i kthenin pas disa nga propozimet e rivalëve politikë për votimin.

"Jemi përballë provës më të rëndësishme për demokracinë tonë që prej Luftës Civile. Atëherë askush nuk guxoi të mësynte në Kapitol siç vepruan të rebeluarit e 6 janarit të këtij viti. Këtë po e them sepse duhet të alarmohemi."

Teksasi është shteti më i fundit që do vendosë për kufizimin e të drejtave të votimit por një ditë më parë ligjvënësit demokratët u larguan për në Uashington në mënyrë që të mos u mundësonin kuorumin e nevojshëm.