Franca gjobit Google me 500 milion euro për të drejtat e autorit
Google u gjobit me 500 milion euro (593 milion dollarë) nga rregullatorët francezë të konkurrencës për mosrespektimin e një urdhri për të negociuar marrëveshje të drejta me botuesit e lajmeve për përdorimin e përmbajtjes së tyre.
Autoriteti i Konkurrencës së Francës tha se Google kishte shkelur një vendim të prillit 2020 që urdhëroi kompaninë të negocionte marrëveshje licencimi “me mirëbesim” me botuesit dhe agjencitë e lajmeve për çdo ripërdorim të përmbajtjes së mbrojtur nga e drejta e autorit.
Në janar, Google ra dakord për një marrëveshje të madhe për të drejtat e autorit dixhital me botuesit francezë.
Kjo është gjoba më e madhe e vendosur nodnjëherë nga mbikëqyrësi i konkurrencës në Francë.
Google u urdhërua nga rregullatori të paraqiste një ofertë shpërblimi për përdorimin e përmbajtjes së mbrojtur te botuesit brenda dy muajsh ose rrezikon të përballet me gjobë deri në 900,000 euro në ditë.
Google tha se ishte “shumë i zhgënjyer” nga ky vendim.
“Ne kemi vepruar me mirëbesim gjatë gjithë procesit”, tha një zëdhënës i Google për CNBC.
“Gjoba injoron përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje dhe realitetin se si funksionojnë lajmet në platformat tona.”
“Deri më sot, Google është e vetmja kompani që ka njoftuar marrëveshje për të drejtat fqinje,” shtoi zëdhënësi.
“Ne gjithashtu jemi gati të finalizojmë një marrëveshje me AFP që përfshin një marrëveshje globale të licencimit, si dhe shpërblimin e të drejtave të tyre fqinje për botimet e tyre për shtyp.”
Gjoba rekord është zhvillimi i fundit në një betejë të vazhdueshme për të drejtat e autorit midis gjigandëve të teknologjisë si Google dhe Facebook dhe botuesve të lajmeve, raporton CNBC.
